Friday, 2024-04-19, 1:08 PM
Welcome Guest | RSS
 
 
Main Page | Prishje e kufijve gjinorë në letërsinë tonë moderne - Forum | Register | Log in
[New messages · Members · Forum rules · Search · RSS ]
  • Page 1 of 1
  • 1
Forum » Arti & Kultura » Letërsia » Prishje e kufijve gjinorë në letërsinë tonë moderne
Prishje e kufijve gjinorë në letërsinë tonë moderne
dj_diamantDate: Sunday, 2007-10-07, 8:00 AM | Message # 1
Admin
Group: Administrators
Messages: 267
Reputation: 0
Status: Offline
1. Pse problemi i gjinive?
Nga të gjitha format letrare, kategoria,
vazhdimësia e së cilës ka
më shumë rëndësi në procesin historik
të një letërsie, është gjinia
letrare. Duke qenë sintezë e strukturave
formale dhe përmbajtjesore të
trashëgimit letrar, kjo kategori duhet
pare nga shkenca jonë letrare
si një problem themelor. Në
përgjegjësinë tonë të përbashkët,
kjo kategori e zhvillimit historik
nuk është trajtuar asnjë herë në atë
plan që e kërkon vetë fenomeni
letrar. Çeshtja bëhet e rëndësishme
për studimet e sotme për dy arsye
: së pari, përmbajtja e kategorisë së
gjinive letrare ka qenë historikisht
e diskutueshme në mendimin teorik,
por në shekullin e lulëzimit të
letërsisë moderniste e postmoderniste,
dolën pikëvështrime të
tjera për kriteret e dallimit gjinor.
Së dyti, letërsia shqiptare, ndonëse
hyri me vonesë në rrugën e modernitetit,
pati zhvillimet e saj dhe,
vitet e fundit, po dëshmon një
vrapim, në ndonjë rast edhe pa fre,
drejt poetikës moderniste e postmoderniste.
Kjo e jep efektin më
dukshëm në ndryshimet strukturore,
në përzierjen, apo braktisjen e
tipareve gjinore, në zvetënimin e
një lloji dhe lulëzimin e një lloji
tjetër etj. Këto dukuri, që në përmasa
të ndryshme i hasim që në
prozat e Koliqit, për të ardhur të
proza e Kadaresë, te dramat apo
proza e Pashkut, e deri te romancierë
e dramaturgë më të rinj të
ditëve tona, janë shumë të rëndësishme.
Braktisja, ose përzierja e
tipareve gjinore duhet parë si diskutim,
si mbrojtje apo përmbysje
e normave klasike?. Ky shkrim
është vetëm nxitje për një trajtim
të gjerë nga studiuesit e letërsisë.
A do vazhdojmë ta konceptojmë
gjininë vetëm mbi kriterin e
ndërtimit të marrëdhënies midis
autorit dhe botës “reale” (në kuptimin
më të gjerë të fjalës)? kur dihet
se ç’specifika ky raport në gjininë
epike, në gjininë lirike dhe në
atë dramatike? Apo do t’i interpretojmë
gjinitë thjesht formë letrare,
në kuptimin e ngushtë të fjalës ?.
Në veprat e autorëve më të dalluar
të modernitetit shqiptar vihen
re shmangje nga struktura dhe
veçoritë tipologjike të gjinisë epike,
dramatike, madje edhe nga poezia.
Kjo dukuri herë është më e dukshme,
herë më e brendshme,
shfaqet nw tre gjinitw:
1. Prozë që shkon drejt dramës
: Kemi prozë, por me skena imagjinative
të komunikimit të dramës
në romanet e Kadaresë (Kronikë…).?
Ndërtim të veçantë të
strukturës rrëfimtare te M.Kraja
(Netë Bizantine), ku personazhit
vihet në rolin e një dramaturgu, që
ndjek, prezanton me stil telegrafik
lëvizjet apo thëniet e personazheve
të tjerë.? Ndërtim i gjithë tregimit
vetëm me dialog, nga A.Pashku,
deri përdorimi i shenjave të tipit
të dramës? Thyerje e kufijve të
strukturës narrative, ku nuk dallohen
qartë kalimet midis romanit,
dramës apo esesë, në vepra të
K.Trebeshinës, R.Qoses, A.Tufës,
R.Dibrës, V.Gracit etj… ?
2. Prozë që shkon drejt poezisë:
Ndodh që struktura narrative
e prozës të zëvendësohet nga një
strukturë e brendshme emocionale,
si tipar themelor i gjinise lirike.
Sipas S.Hamitit prozat e Migjenit
“janë forma të shkurtra në poezi,
që nuk janë zhvilluar në tregime…”.
Ose : “kapërxuell mes
prozës dhe poezisë” shkruan
Dh.Shehri për prozat e Koliqit.
Ose, çfarë do të thonim për
M.Camaj: prozë apo poezi ? Zëvendësim
të rrefimit me imazhe figurash
poetike, që kanë ngarkesën
e një pasazhi apo përjetimi të theksuar
emocional, çka është tipar i
gjinisë lirike ?. Zëvendësimi i figurës-
personazh, që dallon prozën,
me figurën-ide, që i jep tregimit një
frymë të plotë poetike, te
A.Pashku.?, e kështu disa raste të
tjera…
3.Drama që shkon drejt prozës.
Ndryshimet në strukturën e
prozës moderne shqiptare, sidomos
në vitet e fundit të eksperimentimeve
formale, kanë çuar në
kapërximet e kufijve tipologjikë të
dramës, te disa autorë kosovarë, si
dhe disa eksperimentues të rinj në
Shqipëri. Më dukshëm ky fenomen
vihet re në dramat e A.Pashkut,
ku elemente të strukturës narrative
janë në themel të ndërtimit dramatik,
ku veprimi, si elementi më
klasik i skenës dramatike, zëvendësohet
me rrëfimin e personazhit,
duke i dhënë dy dramave të
tij (Gof dhe Sinkopa ) rrëfimin e një
teksti prozaik, kryesisht të lexueshëm.
Kufiri midis dramës dhe
prozës rrënohet, drama duket si
më e përshtatshme për t’u lexuar
se sa për t’u vënë në skenë. Te i njejti
autor shkëmbehen struktura e
prozës me të dramës dhe anasjelltas.
Nëse, p.sh. te Galtina (lloj i
gjinisë epike) nuk ka fare rrëfim,
por vetëm dialog, te dramat nuk
ka dialog por një narracion specifik.
Si raste tipike të prishjes, të
kapërximit të kufijve gjinorë, vepra
e A.Pashkut, si dhe mjaft vepra
të sotme moderniste e postmoderniste
(S.Çapaliku, S.Franku
etj.) dëshmojnë një fenomen që nuk
mund të kalohet jashtë shtrimit të
një çeshtjeje tjetër të rëndësishme :
2. Braktisje e normave fikse do
të thotë shkatërrim i gjinisë?
Fakti që në letërsitë moderne
sistemi i gjinive ka “rrëshkitur”
nga normat tipologjike, siç përmendëm
edhe në disa vepra të
letërsisë sonë, sigurisht ngjall diskutime.
A do të thonim se në letërsinë
tonë po paralajmërohet transformim
gjinor, kur vihet re se
struktura formale e disa veprave
epike, kryesisht te romani, por dhe
në disa drama, pëson “deformime”
të dukshme ? Apo braktisjen,
në disa vepra, të normativitetit
të këtyre gjinive do ta quajmë
prirje për mohimin e tyre?. Sipas
vëzhgimit tim, raporti midis respektimit
të veçorive tipologjike të
një gjinije dhe kapërximit të tyre
është i ndryshëm te shkrimtarët
modernë në vitet ’30 të shekullit të
shkuar e në vazhdim, nga prirja që
u shfaq në letërsinë tonë 10 vjeçarët
e fundit dhe që vazhdon sot e kësaj
dite. Te Koliqi, Camaj, Migjeni, Kadare
etj. ky proces duhet të ketë
qenë më i brendshëm, më intuitiv.
Kurse te autorët e viteve ‘90 e këtej,
të prirur ethshëm ndaj formave
moderniste e postmoderniste, thyerja
e tipologjisë gjinore u bë më e
qëllimshme, herë edhe tendencioze.
Po të synonim, për një moment,
të dukeshim si sfidantë në arsyetimet
tona, mund të hidhnim papritur
pyetjen : ç’nevojë ka dhe
ç’vlerë ka respektimi rigoroz i tipologjisë
gjinore në vepra të veçanta
të letërsisë së sotme.? A mund
të fshihen kufijtë gjinorë, dhe shkrimtari
të shkruajë jashtë respektimit
të normave tipike? Në të
vërtetë në mendimin teorik ekziston
një pikëpamje sipas së cilës
“tipari themelor i gjinive nuk është
të qenët i klasifikueshëm.”.
Ndërkaq është vetë realiteti ynë
letrar që na e sjell në mendje këtë
pohim. Kjo çeshtje mund të vështrohet
seriozisht duke e gjykuar
dukurinë letrare jo në një moment
kohor, por në periudhën e shtrirë
të zhvillimit dhe pasurimit të gjithë
letërsisë sonë. Gjinia, sidomos ajo
epike, ka potencial të madh për
variante strukturore-artistike, që
mund të shfaqen në kohë dhe në
individualitete pa fund. Sidomos
romani, në strukturën e të cilit
ndërthuren elementë si eseja, poezia,
dialogu filozofik, arsyetimi
moral-psikologjik etj. Pra është një
lojë, e cila , si çdo lojë, ka rregullat
e veta, por edhe të papriturat dhe
sfidat e veta. A duhet parë, pra,
raporti midis konceptit klasik të
kësaj gjinie dhe varianteve “rebele”
në një këndvështrim më të
hapur ?. Në letërsinë tonë larmia e
prozatorëve është zgjeruar. Prirjet
moderniste e postmoderniste, si
sfidë ndaj normës klasike, janë
theksuar. Modifikimi i raporteve
midis varianteve (prozatorë të
ndryshëm) dhe tipareve tipologjike,
të qëndrueshme të
gjinisë, (qoftë proza apo drama),
na dëshmon përpjekje për kapërxim
dhe shkrirje të kufijve gjinorë.
Kjo duket tendencë zhvillimi, çka
na bën të pranojmë pa hezitim
pikëpamjen mbi karakterin historik
të gjinive letrare.
3. Ligjërimi, kriteri themelor?
Përzierja, apo kalimi i kufijve
gjinorë, sidomos midis prozës dhe
dramës, e ka pikënisjen te përmasat
e alternimit të ligjërimit të narratorit
me ligjërimin e personazhit,
dy faktorë që ekzistojnë në të dyja
gjinitë, ndonëse me funksione dhe
peshë të ndryshme. Kur raporti
midis produktit të këtyre dy faktorëve
: sistemit personal (dialogut)
dhe sistemit jopersonal
(rrëfimit) kthehet në kahje ekstreme,
d.m.th mbizotëron në
menyrë të papritur funksioni i
njerit ndaj tjetrit, atëhere kemi
shmangje nga poetikat përkatëse
dhe kapërxim kufijsh gjinorë.
Kështu rrëfimi, nga tregues i tipareve
ose situatave, apo realizim
i një aksioni që ve në lëvizje veprimin
(proza e zakonshme), kalon
në interpretues mbi përballjen e
qëndrimeve morale apo filozofike
(OH, Një Dashuri e Shtatë Faje,
etj.). Në këtë rast synimi nuk është
ndërtimi i procesit narrativ, por
rrëfimi i fjalës, që mbart një peshë
filozofike. Ligjërimi rrëfimtar
duket si pjesë e ligjërimit dramatik.
Kujtojmë se me zhvillimin e
gjuhësisë së tekstit, ku teoritë e
ligjërimit u bënë fushë e rëndësishme
e interpretimit letrar, përcaktimi
i gjinive u lidh pikërisht
me teoritë e ligjërimit. Shfaqen
koncepte te tjera edhe mbi statusin
e gjinive letrare. Këto teori shkojnë
deri aty sa të pranojnë një numur
të pafund gjinishë, në vartësi të situatave
njerëzore shumë të larmishme,
që evoluojnë e rievoluojnë
gjithnjë (Bahtin). Në format e reja
të romanit, apo dramës, që zumë
në gojë, hetojmë pikërisht fenomenin
e evolucionit të ligjërimit, në
kuptimin më të plotë të tij. P.sh.:
një nëngjini e konsoliduar si romani,
kombinohet me lloj tjetër të
ligjërimit, p.sh.me ligjërimin epistolar.
Ka edhe kombinim elementesh
ligjërimore të tre gjinive
letrare ( prozë, poezi e
dramë…Pashku, Kadare, etj…),
ose përfshirje e disa llojeve të vogla
letrare e jashtletrare të të shkruarit.
Ose, kur rrëfimi nuk konceptohet
si sekuencë ngjarjesh, por si
ligjërim simbolik, krijohet një dinamikë
e veçantë narrative,
përmes stilit që karakterizon një
vepër dramatike ( në veprën e
R.Dibrës, ose R.Qoses). Pra ndodh
ky fenomen interesant : në disa
vepra njera gjini reflekton tjetrën.
4. Gjinia letrare dhe lexuesi i
sotëm.
Gjinitë përjetohen prej nesh
përmes vetëdijes gjinore që kemi
për to. Kjo vetëdije nuk është e njëllojtë
te receptuesit e të gjitha kohëve.
Nuk mund ta mohojmë që në
realitetin e sotëm letrar ekziston
ndijesia e një perceptimi tjetër të
gjinisë, qoftë prozë, apo dramë, me
ato kapërxime tiparesh që i thamë
më parë. Nëse lexuesi i sotëm i pranon
këto gjini moderne si kategori
të pangurtësuara, kjo flet shumë
lidhur me çeshtjen që po shtjellojmë.
Koncepti teorik që nuk e sheh
një vepër konkrete si një gjini
strikte dhe vlerëson te ajo tiparet
individuale etj. na duket interesant
për kuptimin tonë mbi marrëdhënien
midis sistemit (gjinia në
vecoritë tipologjike) dhe variantit
të sistemit (veprës të letërsisë sonë
moderne ku cënohen ato veçori tipologjike).
Siç e thamë : prozë që
shkojnë drejt dramës apo poezisë,
si dhe dramë që shkon drejt
prozës! Pse të mos i shohim këto
vepra të veçanta edhe si nënsisteme
që zgjerojnë mundësitë e sistemeve
(gjininë) ?. Nxitur nga ky
realitet letrar na duket interesante
pikëpamja sipas së cilës “Interpretimi
nuk ka për qëllim të provojë
që teksti paraqet këtë ose atë
gjini letrare, por as nuk duhet të
injorojë faktin që përkatësia në një
gjini të dhënë përcakton tipare të
ndryshme të veprës që studiohet.”
Nëse pranojmë se, në raport me
gjininë vepra letrare është edhe
qëndrushmëri e saj, edhe variant i
saj, atëhere midis tyre ka marrëdhënie
shumplanëshe. Del problemi:
Cili është qëllimi i interpretimit
tone: të përcaktojë se në
ç’masë një tekst paraqet këtë ose
atë gjini letrare? Apo sa kjo vepër
zgjeron strukturën formale të vetë
gjinisë dhe arrin të krijojë një identitet
të ri.? Vetë zhvillimi i letërsisë
botërore ka dëshmuar se sa kanonike,
e ngurtësuar ishte pikëpamja
klasike dhe neoklasike që e shihte
çdo lloj letrar “të pastër”, që duhet
të respektonte rregulla për subjektin,
strukturën, stilin, efektin
emocional, etj.
Letërsia i theu këto rregulla të
ngurta. Pse? Sepse është zhvillimi
i brendshëm i saj që nuk pret ta
orientojmë ne në grupime dhe tipare
të fiksuara tipologjike.
Përkundrazi, janë zhvillimet e lira
të saj që tërheqin pas vetes studiuesit
në përcaktimin e kritereve të
grupimit gjinor. Ky tipar i
brendshëm i evolucionit artistik e
historik karakterizon edhe letërsinë
tonë moderne, e cila është në
ndryshim të vazhdueshëm, edhe
përsa i përket tipareve gjinore.
Rëndësi ka që bashkëveprimi i faktorëve
të pandryshueshëm gjinorë
dhe jashtgjinorë të jetë një dukuri
që vjen natyrshëm, nën nxitjen e
instikteve të brendshme krijuese,
dhe jo si një mani e autorit. Sa ruhet
gjinia (romani e drama), sa zhduket,
sa bëhet diçka tjetër, një cilësi
e re, me tipare të reja? A janë të
natyrshme në letërsinë tonë forma
të tilla të ndërmjetme, që prishin
kufijtë tradicionalë tipologjikë? Ja
disa nga çeshtjet që meritojnë studim
më të thelluar për këtë dukuri
sa estetike, aq dhe historike.
 
Forum » Arti & Kultura » Letërsia » Prishje e kufijve gjinorë në letërsinë tonë moderne
  • Page 1 of 1
  • 1
Search:


Copyright MyCorp © 2024

Website builderuCoz