120 ditët e fundit të periudhës së bisedimeve
Udhëheqësit politikë të Kosovës e kanë cilësuar periudhën shtesë prej 120 ditësh të bisedimeve si vazhdimësi të një procesi të filluar negociator dhe kanë shtuar se kjo duhet të jetë shtyrja e fundit e këtij procesi. Shtyrje e procesit
Kryeministri i Kosovës, Agim Ceku ka deklaruar se pas kësaj periudhe prej 120 ditësh duhet të veprohet menjëherë dhe të mos lihet asnjë hapësirë boshe.
"Ne nuk e mirëpritëm këtë zhvillim por pranuam atë si mundësinë e vetme që kishim përpara. Partnerët tanë evropianë na inkurajuan fuqishëm. Aleatët tanë amerikanë kërkuan që të marrim pjesë.
Ne ua kemi bërë të qartë aleatëve tanë dhe këtë do tua bëjmë të qartë edhe treshes që këtë fundjavë vjen në Prishtinë se këtë 120 ditësh nuk e konsiderojmë si fillimin e një procesi të ri por vazhdim dhe shtyrje të panevojshme të procesit e cila duhet të jetë shtyrja e fundit. Pas 120 ditësh duhet vepruar menjëherë dhe nuk duhet lënë asnjë vakum", thotë zoti Çeku.
Kapitull i ri
Por ndërkohë analistët në Kosovë kanë vlerësuar se procesi i ri është një kapitull krejtësisht i ri negociator.
Dukagjin Gorani, analist politik në Kosovë, i ka thënë BBC-së se opsioni i pavarësisë së mbikëqyrur nuk ka ndonjë alternativë.
"Negociatat duhet të mbahen. Duhet të mbahen pa ndonjë parakusht meqenëse nuk mund të ekzistojë parakusht në procesin e negociimit. Nuk mund të shkohet në negociata të reja me konstatime të vjetra.
Vjena mund të ketë qënë e favorshme për shqiptarët. Pakoja e Ahtisaarit mund të jetë përjetuar e favorshme për udhëheqjen politike të Kosovës mirëpo ajo nuk mund të merret si pikënisje për procesine e ri. Procesi i ri është kapitull krejtësisht i ri negociator," thotë analisti Dukagjin Gorani.
Mundësi reale
Përfaqësuesit serbë ndërkaq kanë pohuar se presin që bisedimet shtesë të ofrojnë një mundësi reale për të arritur një zgjidhje kompromisi, që do të kënaqin interesat e Serbisë dhe të, sic ka thënë kryeministri serb Koshtunica, pakicës shqiptare në Kosovë.
Bisedimet shtesë mes Prishtinës dhe Beogradit pritet të nisin së shpejti, fillimisht me një diplomaci shëtitëse të treshës së Grupit të Kontaktit që do të udhëheqë bisedimet.
Të enjten Grupi i Kontaktit do të takohet në Londër për të diskutuar mbi formatin e bisedimeve dhe me takimin do të udhëheqë treshja ndërmjetësuese, ambasadori Frank Wisner nga SHBA, ambasadori Wolfgang Ischinger nga Gjermania dhe Aleksandr Botsan Kharchenko nga Rusia.
Grupi i Kontaktit ndërkaq pritet që t'i raportojë sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, më 10 dhjetor, kur mendohet se do të përfundojë faza 120 ditëshe.
Arbër Vllahiu
korrespondent i BBC-së në Prishtinë