dj_diamant | Date: Friday, 2007-08-17, 4:57 AM | Message # 1 |
Admin
Group: Administrators
Messages: 267
Status: Offline
| Fotografi durrsak, Gëzim Domi, u zbulon bashkëqytetarëve të tij atë që syri ua ka parë, por nuk ua ka ndjerë, atë që ndoshta e kanë ndjerë, por që nuk kanë ditur ta shprehin. Ekspozita e tij, "Nga Durrësi, me dashuri", ishte e para e vizituar nga Presidenti i ri, Bamir Topi SHKREPJE MAGJIKE Pa dyshim që Gëzim Domi ka provokuar më shumë dashuri dhe adhurim te bash këqytetarët e tij për Durrësin, me ekspozitën e tij fotografike "Nga Durrësi, me dashuri". Kjo ekspozitë, ishte edhe i pari eveniment kulturor që pati të pranishëm Presidentin e ri, Bamir Topi. Nga kjo ekspozitë durrsakët kanë mundur të zbulojnë edhe atë që syri nuk ua kishte vënë re për vite me radhë. Sepse, nuk është vetëm shkrepja artistike e Domit, por dhe njëfarë syri i tij dylbi, që ka sjellë qoshke dhe aspekte të fshehura të Durrësit, duke i dhënë dimensionin e një galerie plot kthina, që daton në shekuj. Fotografia e Domit është edhe një përthyerje e përfaqësimit tipologjik të këtij qyteti vetëm me pasurinë arkeologjike, ose me detin si pasuri natyrore. Fjala vjen, perëndimi. Dielli që zhytet në det me të bronztën e tij dehëse; një panoramë që ka pjellë peizazhe pa fund, motive e çudira poetike. Por për perëndimin e Durrësit, pak është shkruar. Ai madje, është injoruar, ndoshta nga pesha e monumenteve të tjera. Por Domi e ka sjellë si monument më vete. E ka fiksuar diellin në perëndim në shumë forma, të plotë, të fshehur mes reve, sikur ia bën me sy qytetit, diku të dobët e diku plot pushtet. Është perëndimi i fotografuar mbi syprinën e detit, valëve, ose të horizonteve të përthyera me silueta njerëzore e me direkë anijesh. Duke qëndruar te natyra, në objektivin e fotografit Gëzim Domi janë edhe qiejt e Durrësit. Themi qiejt, sepse, ai ka bërë 'trak' në pamje të pazakonta; shtjella resh që paralajmërojnë furtunë ose re të paqme, të vendosura si me një dorë që kompozon me kujdes trajta qiellore, si në një dekoracion në tavanin e botës. Dikush tha se çdo foto ka lëvizje, ka zhvillim, është dinamike, jetësore, e trazuar, artistikisht e gjetur nga një sy nuhatës, i prirur për të rrokur tej rutinës së fotografisë së përgjithshme që ofron realiteti, një sy i ndjeshëm, gjithherë në provokim, në ngacmim; një sy në mision, në detyrë; një sy i pangopur. Nga qielli te toka. Nga toka te deti. Deti. Nuk kuptohet Durrësi pa perëndimin, por nuk kuptohet dhe pa detin. Dhe deti nuk kuptohet pa valët, pa të qetën e të trazuarën dehje. Nuk mund të kuptohet pa "banorët", pa atë mori frymorësh që i qëndrojnë në thellësi, në sipërfaqe. Në foton e Domit është rrëfyer i gjithë ky univers i magjishëm. Syri i Domit ka sjellë zogjtë e lloj-llojtë në pozita të ndryshme mbi det; ka sjellë valët e egra në shfryrje, gjatë përplasjes më bregun. Por ka sjellë dhe atë detin 'publik'. Detin e plazhit, detin e njerëzve. Syri dhe aparati i Gëzim Domit i ka zgjeruar kufijtë e Durrësit. E ka bërë më të madh, jo fizikisht, por nga larmia e pamjeve të ofruara. Nga fotot e tij ndien se konceptet urbane do mbeten gjithnjë të varfra ndaj atyre artistike. Dhe ç`është artistike në fotot e Domit? Është tërësisht konservator Domi, që do të thotë se nuk pranon që fotoja e tij të ketë retushime, të ketë ndërhyrje kompjuterike. E gjithë aftësia e tij është e bazuar te origjinaliteti dhe te rrokja pa vështirësi e atyre lloj kompozicioneve harmonike që krijohen nganjëherë vetvetishëm në natyrë dhe në ambientin urban, mes fenomeneve, sendeve dhe objekteve. Domi, si duket, është tejet mjeshtëror në kapjen e kësaj loje iluzore që vërtet e ka burimin te realja, por që jo gjithnjë është e dallueshme qartazi. Një shembull i kësaj është një foto që tregon kokën e Meduzës, një monument mbi Bankën e Shtetit në qytet, një godinë karakteristike. Vetëm nga fotoja e Domit është kuptuar përse është vendosur aty ai lloj monumenti. Nga fotoja, shihet qartë që Meduza sheh gjithnjë nga horizonti mbushur me vela anijesh. Pra një lloj mikpritëseje dhe rojtare e qytetit. Të 300 fotot e ekspozitës "Nga Durrësi, me dashuri", janë CV-ja më e plotë që Gëzim Domi i ka bërë qytetit të tij dhe jo vetëm për të huajt. Sepse, përkundrejt mendimit dhe opinionit negativ qe kemi ne sot për qytetet tona, si të degraduara, të plogëta, të fjetura dhe të rrjepura nga petku i bukurive natyrore, nëpërmjet atyre fotove kuptojmë se e bukura do sy që të ndihet. Themi të ndihet, se çdokush mund ta shohë atë, por të rrallë janë ata që e ndiejnë. E akoma më të rrallë ata që e transmetojnë atë bukuri. Ndër ta është pa dyshim dhe Gëzim Domi. Një muze në mes të detit dhe nën ujë. Këtë ide ka ngacmuar anija italiane, e mbytur në detin e Sarandës gati 65 vjet më parë. Shenja e vendosur dekada më parë në vendin ku është zhytur dhe fundosur kjo anije, nuk është më tepër se një bovë lundruese, e ngjashme me faret që orientojnë trafikun e anijeve dhe peshkarexhave tek përshkojnë gjirin e Sarandës. Por ajo ka nisur të shihet si një shigjetë që çon në një muze të kaltër në Sarandën e muzeve të munguar në tokë. Një grup specialistësh dhe drejtuesish të shoqatës "Masmedia dhe Mjedisi" kanë ambicien ta kthejnë atë në një objekt të vizitueshëm të turizmit nënujor. Në tërë botën ky lloj turizmi është shumë i zhvilluar, pasi njerëzit priren të shohin gjëra të veçanta, sikurse ndodh me shumë turistë të tokës, që u intereson më shumë një shpellë, një majë mali. Deti është edhe më i veçantë, sepse përgjithësisht është i ndaluar për njeriun. Çfarë është ky vapor? Engima e parë e kujtdo që vrojton ose vozit detin e Sarandës, është vendi ku gjendet "vapori i mbytur". Vendasit dhe pushuesit tërhiqen pas tij si pas një misteri që duan ta zbulojnë. Ata që e kanë jetuar mbytjen e saj, thonë se ajo është një anije italiane, e mbytur më 1943. Disa veteranë këtu tregojnë se ajo është mbytur duke u qëlluar nga partizanët. Por duke iu referuar dokumentacionit italian, del se është mbytur duke u gjuajtur nga avionët, të cilët duhet të kenë qenë gjermanë ose anglezë. Mbytja e saj ka ndodhur në fund të luftës. Ajo ishte një anije që sillte dhe merrte materialet e fundit të luftës dhe mendohet se ky ka qenë edhe momenti i mbytjes së saj. Në ditë vere si këto trupin e vaporit të mbytur mund ta shikosh me sy të lirë nga mbiuji, teksa je duke vozitur me varkë ose me biçikletë uji. Edhe më i dukshëm bëhet ai në thellësinë 2 metra nën ujë, për të shkuar 20-25 metra thellësi, ku vapori gjendet i zhytur pjesërisht në llumë. Gjatësia e anijes i kalon të 60 metrat, ndërsa gjerësia shkon mbi 20 metra. Mendohet se ajo ka qenë një anije transporti, gjë që e dëshmon prania e vinçave e ingranazheve të mëdha dhe mungesa në të e armatimit luftarak. I kthyer në një pozicion skiç, ai të lejon të vizitosh hambarët, pasi ata kanë mbetur të hapur. Në vitet e para zhytësit kanë parë në hambarët e tij edhe këpucë ushtarësh dhe pagurët e alumintë. Anija ka direkun, disa hambarë, si dhe rrjeta të futura në to. Pranë tij janë parë edhe korale të tipit sferik, të kapura e të varura përgjatë të gjitha kavove të direkut. Nga madhësia e tyre është e mundur të përcaktosh që nga ç'kohë ka ndodhur kjo vendosje dhe kohën e mbytjes së anijes. Ndërsa brenda hambarëve vërehen disa ndarje si rafte, që kanë qenë mbushur me shishe vere, të mbyllura me tapa shtogu, që lejojnë të depërtojë dalëngadalë kripa e detit. Po ashtu, ka pasur edhe shishe të vogla ilaçesh. Por nga viti në vit objektet nën ujë janë rralluar shumë e po zhduken, aq sa nuk janë gjetur dot më as shishet e mbushura të verës në fund të hambarit, në një dhomëz si në gropë. Arka të ndryshme, e deri motoçikleta të prodhimit italian, të markës "Guzzi", ka pasur aty brenda, që janë nxjerrë në vite. Vit pas viti inventari historik i kësaj anijeje është varfëruar, për shkak të mosadministrimit. Francezja Virginia Fyler thotë të ketë parë edhe një kafkë të zhytur në llumin e anijes. Ndërkohë që një bllok me shënime ka mbetur i palexuar, pasi fletët e qullura nuk ka qenë e mundur të hapeshin dhe tharja i dëmtoi edhe më shumë. Duke qenë sarandiot, gazetari dhe kameramani i nënujit, Xhemal Mato, ndien një obligim më shumë për ta kthyer vaporin e mbytur në gjirin e Sarandës në një muze tërheqës dhe fitimprurës. Një film nën ujë, me idenë e muzeut të kaltër, ka qenë ambicia e tij e hershme, që kur ishte gazetar në RTSH. Nisi të mbledhë dokumente për të gjitha anijet e mbytura dhe si sarandiot interesimi i parë ishte për anijen italiane të mbytur në Sarandë. Kjo ide është bërë edhe më ngacmuese këtë verë, që ai pushon duke eksploruar në Sarandën e tij. Sfida e turizmit të nënujit Me lindjen e teknologjisë së zhytjes, bombolave, kostumeve, krahas rritjes së njohurive, zhytja u bë shumë popullore. Atë mund ta ushtrojë çdo njeri: një burrë dhe një grua, i riu, fëmija dhe i moshuari. Kështu lindi turizmi nënujor, trajnimi për zhytjen, duke krijuar shkolla, të cilat organizohen nga agjencitë turistike, zakonisht gjatë dimrit. Ato i ndërtojnë programet për grupe njerëzish që bëjnë pushimet në formë ekskursioni nën ujë, në botën e kaltër, që quhet shpesh edhe botë e heshtjes, për shkak të mosdëgjimit të zhurmave. Subjektet e turizmit nënujor janë turistë specialë, jo turistë të zakonshëm. Zakonisht ata vijnë me paketë, vjen tërë grupi dhe në grup bëhet pagesa e një vlefte të caktuar, ndërsa agjencia sipërmarrëse e turit merr përqindjen, ku përfshihet edhe zhytja. Në Detin e Kuq, ku është turizmi më i madh botëror, një paketë 10-ditore shkon 1200 USD me akomodim, ushqim dhe anijen nga realizohet zhytja. Për këta lloj turistësh Mato mendon se do të ishte e veçantë të zhyteshin dhe të shihnin një anije të lashtë me amfora, që është privilegj vetëm i atyre që futen nën ujë. Kushdo që hyn në thellësi, sheh, prek dhe fotografon, e kupton krejt ndryshe lashtës-
Message edited by dj_diamant - Friday, 2007-08-17, 4:59 AM |
|
| |